3615
- Na ka treguar Muhamed bin Huzajme, i cili ka thënë: Na ka treguar Haxhaxhi, i cili ka thënë: Na ka treguar Hemami, i cili ka thënë: Më ka njoftuar Nafiu, se Ibn Umari (r.anhuma) erdhi në Mekë në kohën e namazit të sabahut, bëri tavaf dhe nuk u fal vetëm se pasi lindi dielli
(417).
Edhe analogjia tregon për këtë gjithashtu; sepse ne kemi parë që i Dërguari i Allahut (s.a.v.s.) ka "ndaluar agjërimin në ditën e Fitër Bajramit dhe në ditën e Kurban Bajramit", dhe të gjithë janë pajtuar që kjo vlen njëlloj në të gjitha vendet.
Kështu që analogjia mbi këtë është që ajo që ai ka ndaluar prej namazeve në kohët në të cilat është ndaluar falja, të jetë njëlloj në të gjitha vendet mbarë.
Me këtë bie poshtë thënia e atij që shkoi drejt lejimit të namazit të tavafit në kohët kur namazi është i ndaluar.
Pastaj ata që kundërshtuan ithtarët e mendimit të parë u ndanë në dy grupe: Një grup prej tyre tha: Nuk falet asgjë në këto pesë kohë për tavafin, ashtu siç nuk falen nafilet në to. Prej atyre që e kanë thënë këtë janë Ebu Hanifja, Ebu Jusufi dhe Muhamedi, Allahu i Madhëruar i mëshiroftë.
Dhe me këtë janë pajtuar edhe ato që kemi transmetuar nga Umari, Muadhi bin Afra dhe Ibn Umari (r.anhum).
Ndërsa një grup tjetër tha: Falet për tavafin pas ikindisë para se të zverdhet dielli dhe pas sabahut para se të lindë dielli, por nuk falet për të në tri kohët e mbetura në të cilat është ndaluar namazi. Prej atyre që e kanë thënë këtë janë Muxhahidi, Ibrahim en-Nehaiu dhe Ataiu (r.h.).